Autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerikë, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërtetë që i ka zili çdo letërsi, të cilët si miu kungullin, kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallat e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen. Aty sillen veç amerikanëve joshqiptarë, edhe shqiptarët dhe qeveritë në mërgim të shqiptarëve, mimetizmi i tyre kulturor e fetar, raportet e tyre me SIDA-n, demokracinë, racizmin. Ervin Hatibi, "Shekulli" Rrembi i suksesshëm gjuhësor, diellor, juglindor, që i jep tharm gazit më të thekshëm shqiptar në rrëfimtarinë e Kutelit të sagave të fshatit, e Nolit të Don Kishotit, e Nonda Bulkës herë-herë, e Dritëroit të intervistave... Dhe Pëllumb Kulla nis ripopullon Amerikën me "Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas", riemërton "kodrat rreth Nju Jorkut", "Qafë Kuinsin", "korrijet e Stejtën Ajlandit", "meratë e Bronksit", "stanet e Nju Xhërsit", "pllajat e Bruklinit"[...] Kujt nuk i ka lexuar vetë rrëfenjat, këto ndërhyrjet çshenjtëruese tip "Qafë Kuins", mund t'i ngjajnë një llaf goje, një truk i radhës i një autori të njohur të humorit. Duke shkartisur brenda ngjyrës lirike teknikat e reportazhit dhe letërsisë udhëpërshkruese me një parodizim tip Woody Allen të historisë dhe miteve, me një kulturë kinematografike të dialogut, autori ka arritur të na japë një Shqipëri paralele apo një Amerikë të tillë, brenda së cilës endet Peçoja njujorkez, një binjak po aq naiv e romantik i Markovaldos së Italo Calvinos, me një familje krejt si e tij në "Stinët në qytete", zhvendosur nga Evropa me Evropë brenda, në qytetin e "Seksit dhe qytetit"; një koleg, varianti soft, korçar.
Te ben te nxjerresh lot, lot nga te qeshurat, humori te vjen papritur... por dhe lot per dhimbjen e tragji-komedine e personazheve! Nje realitet tjeter nga ai qe te tere imagjinojme per miqte tane pertej AtLLantikut.. :)